Çfarë janë Veneers apo fasetat?

Veneers apo fasetat janë shtresa qeramike (porcelani) të cilat vendosen sipër dhëmbit natyral me ç’rast e imitojnë natyralitetin e dhëmbit maksimalisht dhe njëkohësisht e korrigjojnë paraqitjen estetike të dhëmbëve në hark. Aplikimi i Veneers (fasetave) indikohet në rastet kur pacienti i ka të pranishëm dhëmbët e vet natyral dhe kur dëshirohet që ata të kenë pamje estetike më të mirë gjithmonë duke ruajtur sa më shumë strukturë të dhëmbëve natyral.Efektet që vendosen në fasetë, japin përshtypjen e dhëmbëve natyralisht të bukur dhe qëllimi i tyre është që të mos dallohen që janë porcelan.

Kur mund të aplikohet trajtimi me Veneers?

Veneers përdoren në mënyrë rutinore në këto raste:

▪ Te dhëmbët të cilët kanë diskolorime – për shkak të trajtimit të kanalit rrënjësorë, njollave nga tetraciklina ose medikamenteve tjera, fluoride të tepruara ose prezencë të mbushjeve të mëdha të rrëshirës që kanë zbardhur dhëmbin.

▪ Te dhëmbët që janë të zhveshur.

▪ Te dhëmbët që janë copëtuar ose thyer.

▪ Te dhëmbët që nuk kanë rënditje të drejtë, të barabartë ose në formë të rregullt.

▪ Te dhëmbët me hapësirë mes tyre (për të mbyllur hapësirën midis këtyre dhëmbëve).

Cilët janë avantazhet e përdorimit të tyre?

Ato ofrojnë një pamje të dhëmbëve natyral.
Gingiva (mishi i dhëmbëve) ka tolerancë të mirë me porcelanin.
Ngjyra e një fasete prej porcelani mund të zgjidhet në mënyrë të tillë që të bëjë që dhëmbët e errët të duken më të bardhë.
Fasetat ofrojnë një qasje konservatore (ruajtëse e strukturës dhëmbore) për të ndryshuar ngjyrën dhe formën e një dhëmbi.

Sa është kohëzgjatja e fasetave?

Fasetat zakonisht qëndrojnë 7 deri në 15 vjet, mirëpo jetëgjatësia e tyre varet nga kujdesi që e ka pacienti për to. Sidoqoftë, ato nuk kërkojnë ndonjë trajtim special.

Si duhet të jetë përkujdesja për faseta?

Higjiena orale duhet të mbahet mirë dhe të vazhdojë me larjen e dhëmbëve 2 herë në ditë, pastrim me floss dental si dhe shpëlarje me solucione antiseptike.